Franc Nopça

Lexo ngjarje:

Lindi Franc Nopça (Franz Nopcsa), gjeolog, paleontolog dhe etnograf hungarez, baron. Nga viti 1903 deri më 1922 erdhi disa herë në malësitë e Veriut të Shqipërisë. Një nga kandidatët për fronin e Shqipërisë, më 1913. Franc Nopça u mor me studimin e ndërtimit gjeologjik të Shqipërisë Veriore. Hodhi bazat e stratigrafisë dhe të ndarjes tektonike të saj si dhe të Dinarideve, duke qenë përkrahës i hipotezës për zhvendosjet e mëdha tektonike horizontale. Botoi mjaft studime gjeologjike me vlerë për zonën e Alpeve Shqiptare. Vepra e tij më e vëllimshme (620 faqe) “Geographie und Geologie Nordalbaniens”, Budapest, 1929 (“Gjeografia dhe gjeologjia e Shqipërisë Veriore”) shoqërohet edhe me hartën e parë gjeologjike 1:200.000 të Shqipërisë Veriore. Njëkohësisht mblodhi material të pasur etnografik dhe rezultatet e studimeve i botoi në disa artikuj e punime, si “Das Katholische Nordalbanien”, Budapest, 1907 (“Shqipëria Veriore katolike”); “Aus Šala und Klementi” Sarajevë, 1910 (“Nga Shala dhe Kelmendi”); “Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien”, Sarajevë, 1912 (“Shtëpia dhe orenditë e shtëpisë në Shqipërinë Veriore katolike”); “Beitrage zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens”, Sarajevë, 1912 (“Kontribute për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut”); “Albanien – Bauten, Trachten und Gärete”, Berlin & Lajpcig, 1925 (“Shqipëria ndërtime, veshje dhe enë e orendi”), e cila është vepra kryesore e tij në këtë fushë. Ka qenë ndër të parët që në studimet etnografike për Shqipërinë futi për krahasim edhe të dhënat e arkeologjisë. Për objekte të kulturës materiale ka përdorur metodën krahasuese me vendet e tjera të pellgut të Mesdheut dhe të Azisë së Afërme. Në studimet etnografike ka qenë i pari që zbatoi me rigorozitet parimet e shkollës difuzioniste ose të rrathëve kulturorë. (Në fotografi: Franc Nopça me kostum shqiptar, 1915.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1852.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Franz_Nopcsa

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img