Në Llaushë të Podujevës lindi Fahri Fazliu, veprimtar i lëvizjes për çlirim kombëtar, Hero i Kosovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Zhvilloi aktivitet të dendur që në kohën e demonstratave gjithëpopullore në pranverën e vitit 1981: shpërndau trakte, literaturë ilegale, ndihmoi shokët ilegalë dhe familjet e të burgosurve politikë etj. Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, filloi punën në ndërmarrjen hekurudhore “Prishtina”. Në vitin 1984, për shkak të aktivitetit politik, u arrestua dhe u dënua me katër vjet burg. Pas daljes nga burgu, përfundoi Shkollën e Lartë të Komunikacionit në Zagreb dhe ndoqi studimet në degën e ndërtimtarisë të Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Në vlimet politike të viteve 1988–’89 ishte shumë aktiv. Veprimtaria e tij vëzhgohej nga shërbimi sekret serb. U rrethua në banesën e tij në Prishtinë dhe u vra në vitin 1989. Pas luftës u shpall Hero i Kosovës. (Në fotografi: Fahri Fazliu)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 429.
Fotografia: © https://prointegra.ch/30-vjetori-i-renies-se-deshmoreve-fahri-fazliu-dhe-afrim-zhitia/
Përpunim grafik: AHCF




