Në Tiranë doli numri i parë i gazetës “Politika” (1922–1924), gazetë e përjavshme informative, politike, shoqërore, ekonomike, kulturore etj. U botuan 85 numra. Nga nr. 1 i vitit III të botimit (1924) u kthye në “Organ Kombëtar-Demokrat” me redaktor Halim Xhelon, i cili nga nr. 23 mori edhe përgjegjësinë e drejtorit. Në numrat 32–35 të vitit 1924 gazeta “Politika” doli si “Organ Kombëtar i Pavarur”. Ishte një ndër gazetat më demokratike të kohës. Nëpërmjet shkrimeve të saj gazeta “Politika” propagandoi idetë e lëvizjes demokratike e liberale dhe u shpreh për ndërtimin e një shteti demokratik në Shqipëri. Gjatë periudhës së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 luftoi për vënien në jetë të programit të shpallur nga qeveria e Fan Nolit. (Në fotografi: Faqe të gazetës “Politika”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2063.
Fotografia: © https://politiko.al/politika-gazeta-e-vlores-qe-trajtoi-probleme-kombetare-ne-1923
Përpunim grafik: AHCF




