Në Gjakovë, në një familje me tradita, lindi Sulejman Vokshi, veprimtar dhe udhëheqës ushtarak i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Hero i Popullit. Veprimtarinë atdhetare e filloi që në moshë të re. Ishte një nga nismëtarët e themelimit të Lidhjes dhe një ndër udhëheqësit kryesorë politikë e ushtarakë, anëtar i Komitetit Qendror dhe përfaqësues konsekuent i krahut radikal të saj. Qëndroi në ballë të luftës për mbrojtjen e tërësisë së trojeve shqiptare dhe të luftës për realizimin me forcën e armëve të autonomisë së mbarë trojeve shqiptare. Si anëtar i shtabit ushtarak të Lidhjes, Sulejman Vokshi ishte një nga udhëheqësit e luftëtarëve shqiptarë në betejat për mbrojtjen e Plavës e Gucisë, që shpunë në shpartallimin e forcave të Malit të Zi. Me formimin e qeverisë së përkohshme të Lidhjes Shqiptare, në janar 1881, u ngarkua me detyrën e udhëheqësit ushtarak të forcave të armatosura të ushtrisë kombëtare të saj; ishte edhe kryetar i komisionit të të ardhurave dhe financave. Me cilësinë e komandantit të forcave ushtarake u rreshtua përkrah Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit e të tjerëve, në luftën e armatosur për realizimin e autonomisë së Shqipërisë. Forcat e Lidhjes, nën komandën e tij, brenda një kohe të shkurtër e shtrinë pushtetin administrativ e ushtarak të Lidhjes në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Lumë, Guci, Vuçiternë, Preshevë etj. Nën drejtimin e tij, si kryetar i shtabit të forcave shqiptare dhe, me pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë, u zhvillua edhe lufta për mbrojtjen e Lidhjes në Shtime e Slivovë, kundër forcave osmane të Dervish Pashës. U arrestua, si mjaft drejtues të tjerë të Lidhjes. Pushteti osman e konsideroi si një nga udhëheqësit më të rrezikshëm të Lidhjes, prandaj gjykata e jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi në fillim me vdekje, që e zëvendësoi me burgim të përjetshëm. Por në kushtet e vështira të shpërthimit të kryengritjes në Rumelinë Lindore, sulltani u detyrua ta lirojë shumë shpejt (1885). Figura e tij u përjetësua edhe në këngët popullore historike të asaj periudhe. Vdiq në Gjakovë. (Në fotografi: Sulejman Vokshi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2913–2914.
Fotografia: © Muzeu Historik Kombëtar
Përpunim grafik: AHCF




