Në Korçë doli numri i parë i gazetës “Koha”, gazetë e përjavshme politike, shoqërore, kulturore dhe letrare. Në vitet 1911–1912 dhe 1914 u botua në Korçë; nga data 22 janar 1915 deri më 5 korrik 1920 në Xhejmstaun (SHBA), pjesërisht edhe në frëngjisht. Nga viti I deri në vitin XI (1920) e drejtoi Mihal Grameno; nga numri i datës 13.11.1920 e deri në fund, e drejtoi Koço Grameno. Mbrojti çështjen e pavarësisë së Shqipërisë, demaskoi politikën e xhonturqve dhe synimet shoviniste të mbretërive fqinje, si dhe ngriti zërin për të drejtat e popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në vitet 1920–1924, gazeta “Koha” mbajti qëndrim të hapur demokratik e antifeudal, duke u radhitur ndër organet kryesore të lëvizjes demokratike. Përkrahu opozitën demokratike në parlamentin shqiptar, Revolucionin Demokratik të Qershorit 1924 dhe qeverinë e Fan S. Nolit. Në shtyllën letrare botoi portrete të mjaft patriotëve demokratë. (Në fotografi: Fletë e gazetës “Koha”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1202.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




