Enver Hoxha

Lexo ngjarje:

Në Gjirokastër lindi Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës të Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Në vendlindje ndoqi shkollën qytetëse dhe klasat e ulëta të liceut (1917–1927). Kreu Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1927–1930). Shkoi për studime të larta (për biokimi) në Universitetin e Monpeljesë (Francë), të cilat nuk i përfundoi. Qëndroi në Paris e më pas në Bruksel si nëpunës i Konsullatës shqiptare në Belgjikë, por pas disa muajsh u pushua nga puna. Në korrik 1936 u kthye në atdhe. Hyri në lidhje me Grupin Komunist të Korçës dhe u bë një ndër anëtarët aktivë të tij. Pas pushtimit fashist të vendit, mori pjesë në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe u bë një ndër organizatorët e saj. Mori pjesë në Mbledhjen Themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare (8–14 nëntor 1941) si përfaqësues i Grupit Komunist të Korçës dhe u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Përkohshëm, i ngarkuar me financën e Partisë, dhe më pas sekretar politik i Qarkorit të Tiranës. Në Konferencën e Parë Nacionalçlirimtare të Pezës (1942) mori pjesë si delegat i Partisë Komuniste Shqiptare dhe u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. Në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare (Labinot, mars 1943), u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare. Këtë post, me emërtimin e mëvonshëm Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, e mbajti deri në fund të jetës. Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në Labinot të Elbasanit (korrik, 1943) u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe u caktua komisar politik i tij. Në Kongresin e Përmetit (1944) u zgjodh anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe u emërua kryetar i Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtar Shqiptare me gradën gjeneral armate. Në Mbledhjen e Dytë të Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar (Berat, 1944) u emërua Kryeministër i Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Pas çlirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Asambleja Kushtetuese e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 e emëroi Kryetar të Qeverisë; mbajti njëkohësisht edhe detyrën e ministrit të Jashtëm dhe të ministrit të Mbrojtjes. Nën udhëheqjen e Enver Hoxhës në Shqipëri u vendos një diktaturë staliniste, u zbatua një luftë e ashpër klasash, e shoqëruar me shkelje të lirive e të drejtave të njeriut, me përndjekje e dënime, deri dhe kapitale, të kundërshtarëve politikë. Në Kushtetutën e hartuar nën drejtimin e tij (Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë) u sanksionua roli udhëheqës i Partisë së Punës të Shqipërisë si e vetmja forcë udhëheqëse e shtetit dhe e shoqërisë, lufta e klasave si forcë kryesore lëvizëse e shoqërisë, parimi i mbështetjes në forcat e veta, ndalimi i pronës private. Veprimtaria e Partisë së Punës të Shqipërisë, që udhëhiqej nga Enver Hoxha, u karakterizua nga goditje të vazhdueshme të grupeve të cilësuara si armiqësore, pasojë e luftës së klasave, që u shtri edhe në radhët e saj. Enver Hoxha kundërshtoi çdo orvatje për ndryshim e liberalizim të sistemit. Gjatë viteve që drejtoi shtetin, ekonomia në përgjithësi, energjetika, arsimi e kultura, shëndetësia njohën ritme të larta zhvillimi. Por masat radikale që u zbatuan në ekonomi, çuan në likuidimin e plotë të pronës private e të nismës private dhe në krijimin e sistemit të ekonomisë së centralizuar, që rezultoi i paefektshëm dhe në fund dështoi, duke e futur vendin në krizë të përgjithshme. Në politikën e jashtme Enver Hoxha ndoqi një kurs të ashpër, që çoi në izolimin e vendit nga bota. Pas luftës u prish me aleatët perëndimorë (Angli, SHBA) dhe u lidh ngushtë me vendet e bllokut komunist. Në vitin 1948 u prish me Jugosllavinë dhe u lidh ngushtë me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të kampit socialist. Pas vdekjes së Stalinit kundërshtoi kursin e Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe procesin e destalinizimit që ndërmori Nikita S. Hrushovi, duke mbetur besnik i trashëgimisë staliniste. Qëndrimi në këto pozita çoi në prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik e me vendet e tjera të Bllokut Lindor. Ndërkohë u lidh ngushtë me Republikën Popullore të Kinës. Por dhe kjo miqësi në vitet ’70 filloi të tronditet e më pas u ndërpre për shkak të divergjencave që lindën me udhëheqjen kineze, e cila filloi kursin e përmirësimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Sovjetik, si dhe me Jugosllavinë. Në vitin 1968 nisi botimi i serisë së “Veprave” të tij, që u ndërpre në vëllimin e 71-të (1990). Jashtë kësaj serie ka botuar veprat: “Imperializmi dhe revolucioni” (1978), “Shënime për Kinën” (1979), si dhe një varg veprash memorialistike: “Kur lindi Partia” (1981), “Kur u hodhën themelet e Shqipërisë së Re” (1984), “Me Stalinin” (1979), “Hrushovianët” (1980), “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” (1982), “Titistët” (1982) etj. U nda nga jeta në Tiranë, në vitin 1985. (Në fotografi: Enver Hoxha)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 957–959.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Enver_Hoxha

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Mumin Selami

In the "Tophana" neighborhood of Vlorë, at the illegal base of the Albanian Communist Party, Mumin Selami, an activist of the National Liberation Antifascist Movement and a People's Hero, was killed.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img