U krijuan Forcat Detare, lloj i Forcave të Armatosura dhe autoriteti kryesor detar për mbrojtjen e hapësirës detare dhe të bregdetit të Republikës së Shqipërisë. Forcat Detare përbëhen nga trupat e luftimit, trupat mbështetëse të luftimit dhe trupat e mbështetjes logjistike. Kryejnë këto detyra: mbajnë forca të gatshme në mbrojtje të interesave shtetërorë në ujërat e brendshme, në detin territorial dhe në zonën ekskluzive ekonomike të hapësirës detare shqiptare; zhvillojnë veprime aktive ligjore e paqeruajtëse në rajon, në bashkëveprim me forcat detare të ushtrive të tjera partnere; sigurojnë mbajtjen hapur të trafikut të transportit detar dhe të porteve e bazave detare; pajisin bregdetin shqiptar me mjetet e nevojshme për sigurimin e lundrimit të parrezikshëm dhe përgatitin e mbajnë në gatishmëri trupa detare të specializuara për luftën kundër terrorizmit, sabotimit dhe veprimeve kundër rendit kushtetues. Forcat Detare janë pajisur me anije të llojeve të ndryshme, me teknikë e armatim bashkëkohor, si motosilurhedhëse (katera silurues), nëndetëse, minaheqëse e minavënëse, gjuajtës kundërnëndetës, anije patrulluese, cisterna uji e nafte, tërheqës detarë (rimorkiatorë) etj. (Në fotografi: Kater silurues tip “Huchuan”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 708–709.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Forca_Detare_Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




