Doli numri i parë i revistës “Shqipëria re” (1947–1991), reviste dymujore politike, ekonomike, shoqërore e kulturore e ilustruar. Botohej paralelisht në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja (frëngjisht, anglisht, rusisht, italisht, spanjisht, gjermanisht, arabisht). Numri i parë doli në frëngjisht. Në faqet e saj jepeshin, në forma të larmishme, informacione, reportazhe, përshtypje udhëtimesh, kuriozitete historike, kulturore e artistike të qytetërimit shekullor të popullit shqiptar. Tematikat dhe përmbajtjet e shkrimeve të saj u përgjigjeshin kërkesave të lexuesve të huaj dhe kishin për qëllim të rritnin nivelin e njohurive të tyre mbi Shqipërinë. Vijoi deri në vitin 1991. (Në fotografi: Kopertina e revistës “Shqipëria re”, 1984.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2618–2619.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/revista-shqiperia-e-re/
Përpunim grafik: AHCF




