Qyteti i Elbasanit shpalli i pari pavarësinë nga Perandoria Osmane. Fitoret e rrufeshme të shteteve ballkanike i detyruan Fuqitë e Mëdha të rishikonin vendimin e tyre për të mos lejuar ndryshimin e status quo-së në Ballkan. Qysh në fund të tetorit, në rrethet diplomatike dhe në shtypin evropian filloi të flitej për nevojën e ndryshimeve territoriale në të mirë të aleatëve ballkanikë. Në këto kushte, patriotët shqiptarë që ndodheshin jashtë atdheut vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik. Qëllimi i këtij veprimi do të ishte të shpëtohej Shqipëria nga copëtimi, të ruhej tërësia e saj tokësore e të mblidhej një kuvend kombëtar që do të vendoste për fatin e saj. Ideja për mbledhjen e një kuvendi në Shqipëri, që do t’u paraqiste Fuqive të Mëdha kërkesat e popullit shqiptar, kishte gjetur përkrahjen e qeverisë austro-hungareze. I tillë ishte edhe opinioni që mbizotëronte në rrethet diplomatike të Fuqive të tjera të Mëdha. Por autonomia në kuadrin e Perandorisë Osmane tashmë nuk kishte asnjë kuptim. Ushtria osmane në Ballkan ishte shpartalluar në të gjitha frontet. Trupat serbe, malazeze e greke kishin hyrë thellë në tokën shqiptare. Në këto kushte e vetmja zgjidhje e drejtë e çështjes shqiptare ishte ajo e shpalljes së pavarësisë. Në këtë përfundim arriti grupi i atdhetarëve i kryesuar nga Ismail Qemali, i cili më 19 nëntor deklaronte në Trieste, ku kishte arritur bashkë me shokët, se: “… menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjidhej qeveria e përkohshme”. Të shoqëruar nga delegatët e Durrësit, të Shijakut, të Tiranës e të Krujës, Ismail Qemali me shokët e tij u nisën për në Kavajë. Prej andej nëpër Karatoprak kaluan në Fier, ku u takuan me delegatët e Kosovës, dhe më 25 nëntor arritën në Vlorë. Ndërkohë, ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare. Ajo po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit. Rrethet atdhetare të këtyre qyteteve vendosën ta shpallnin sa më parë pavarësinë, për t’i vënë autoritetet ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen atë e shpallën Durrësi e Tirana dhe më 27 nëntor Kavaja, Peqini e Lushnja. Më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e gjithë Shqipërisë. (Në fotografi: Akti i Shpalljes së Pavarësisë, Elbasan, 1912.)
Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. II, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2002, faqe 508–510.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




