Lindi në kryeqytetin rumun Elena Gjika (Dora d’Istria, 1829–1888), shkrimtare dhe publiciste rumune me origjinë shqiptare. Mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kulturore përparimtare të Evropës, si luftëtare e mendimit të lirë dhe si kundërshtare e sundimit despotik monarkik dhe e shtypjes kombëtare. Përkrahu nxehtësisht lëvizjen kombëtare shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Thimi Mitko etj., dhe rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare, sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një varg studimesh: “La nationalité albanaise d’après les chants populaires” (“Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore”, 1866), “Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale” (“Shkrimtarët shqiptarë të Italisë Jugore”, 1867), “Gli Albanesi in Rumenia” (“Shqiptarët në Rumani”, 1873) etj., ajo vuri në dukje, nëpërmjet këngëve popullore historike, luftën shumëshekullore të popullit shqiptar kundër sundimit osman, duke pohuar në të njëjtën kohë vlerat e traditave folklorike si shprehje e shpirtit dhe e identitetit kombëtar të popujve. (Në fotografi: Elena Gjika)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar — Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 834.
Fotografia: © Andrea Llukani
Përpunim grafik: AHCF




