Në Konstancë të Rumanisë doli numri i parë i gazetës “Flamur’ i Shqipërisë” (1915–1916), gazetë politike e shoqërore, organ i shqiptarëve të Rumanisë; botohej një herë në dhjetë ditë, shqip dhe rumanisht; disa kryeartikuj edhe frëngjisht e anglisht. Mbahej me kontributin e të mërguarve, të cilët për qëllime kombëtare blenë dhe vunë në punë shtypshkronjën “Albania”. Synimi i gazetës ishte zhvillimi dhe përparimi i Shqipërisë e i kombit shqiptar. Gazeta “Flamur’ i Shqipërisë” pasqyronte veprimtaritë atdhetare të shqiptarëve të Rumanisë, informonte opinionin shqiptar e rumun për gjendjen, zhvillimet e problemet e Shqipërisë; ajo dha kontribut për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në faqet e saj u botua edhe letërsi artistike shqiptare, rumune etj. Gazeta vijoi deri në gusht të vitit 1916. (Në fotografi: Ballina e gazetës “Flamur’ i Shqipërisë”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 696.
Fotografia: © https://www.zemrashqiptare.net/news/32410/rp-0/act-print/rf-1/printo.html
Përpunim grafik: AHCF




