Në fshatin Turuqicë të komunës së Podujevës lindi Zahir Pajaziti, njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hero i Kosovës. Kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në Orllan, më pas u regjistrua në shkollën e policisë në Vushtrri, por u përjashtua pas një viti si i papërshtatshëm politikisht. Më 1981 u regjistrua në degën e gjuhës dhe letërsisë angleze në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Po atë vit mori pjesë në demonstratat në Podujevë. Më pas vazhdoi veprimtarinë ilegale. Në fillim të viteve ’90 të shekullit XX ishte aktiv në organizimin e Parlamenti Rinor, duke formuar degën e këtij subjekti në Orllan. Ishte aktiv edhe në aksionin e pajtimit të gjaqeve. Në vitin 1991, Zahir Pajaziti shkoi në Shqipëri për stërvitje ushtarake. Kontribuoi në furnizimin me armatim të celulave ushtarake të krijuara në rrethinën e Orllanit. Kaloi shumë herë kufirin e Shqipërisë, gjatë viteve 1994–1997. Gjatë këtyre viteve punoi në zgjerimin e bashkëpunëtorëve të rinj brenda dhe jashtë zonës së Llapit. Në vitin 1996 kreu shumë aksione luftarake të koordinuara në tërë territorin e Kosovës. Disa ditë pas kthimit nga Shqipëria, u vra në Pestovë afër Vushtrrisë, në një pritë të organizuar nga policia serbe në vitin 1997. Më 31 janar 2008, në 11-vjetorin e rënies, presidenti i Kosovës i akordoi urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Zahir Pajaziti)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1238–1239.
Fotografia: © https://www.kumtari.al/kush-eshte-zahir-pajaziti-heroi-i-kosoves/
Përpunim grafik: AHCF




