Në Beograd u themelua Shoqata letraro-muzikore “Përpjekja”, shoqatë e studentëve shqiptarë që studionin ne Universitetin e Beogradit. Të rinjtë shqiptarë të etshëm për dituri, me çdo kusht u munduan t’i shfrytëzonin ato pak mundësi që u ishin dhënë për të ndjekur studimet e larta. Me shtimin e numrit të studentëve lindi edhe nevoja për të zhvilluar një veprimtari të organizuar me cilësi e vlera artistike kombëtare. Shoqatat krijohen për të ruajtur dhe për të krijuar vlera kulturore e artistike. Pikërisht këtë bëri shoqata “Përpjekja” që nga dita e themelimit. Themeluesit dhe anëtarët e shoqatës ishin të rinj entuziastë me plot ëndërrime e plane për të ardhmen dhe energji të pashtershme krijuese. Këta ishin ndër studentët e parë që po studionin në lëmitë e tyre përkatëse dhe, kur përfunduan studimet, u kthyen në Kosovë dhe zhvilluan veprimtaritë e tyre kulturore, arsimore e shkencore. Qëllimi dhe detyrimi i tyre ishte ndjekja dhe përfundimi i studimeve, por në kohën e lirë mundoheshin të zhvillonin veprimtari kulturore, letrare, muzikore e sportive. Ata paraqisnin vlerat kulturore para publikut të Beogradit e më gjerë. Në vitin 1977 shoqata “Përpjekja” organizoi një turne të suksesshëm në qytetet shqiptare të Luginës së Preshevës, ku u paraqit me një koncert të pasur me këngë e valle shqiptare. Ne pranverë të vitit 1977 grupi letrar organizoi një mbrëmje letrare mjaft të suksesshme në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtareve të Kosovës. Në muajin maj të vitit 1977, në Beograd u mbajtën “Takimet e majit”. Ishin këto takime të studenteve shqiptarë që studionin në universitetet e Jugosllavisë së atëhershme ku kishte shoqata të studentëve shqiptarë. Autoritetet serbe e mbyllën me dhunë shoqatën “Përpjekja” në fund të viteve ’80 të shekullit XX. (Në fotografi: Grup të rinjsh, anëtarë të shoqatës “Përpjekja”.)
Teksti: Sadik Elshani
Fotografia: © https://www.illyria.com/60-vite-me-pare-u-themelua-perpjekja-shoqata-e-studenteve-shqiptare-ne-universitetin-e-beogradit/
Përpunim grafik: AHCF




