U zhvillua “Mbledhja e Bukureshtit”, një mbledhje e përfaqësuesve të kolonisë shqiptare të Bukureshtit e kryesuar nga Ismail Qemal Vlora dhe Luigj Gurakuqi, e cila përcaktoi masat që duheshin marrë për shpëtimin e atdheut, për përgatitjen e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Shpërthimi i Luftës Ballkanike dhe fitoret e shpejta të aleatëve ballkanikë kishin krijuar një situatë shumë të ndërlikuar dhe kritike për shqiptarët. Në këto kushte patriotët që ndodheshin jashtë atdheut, vendosën të ndërmerrnin një veprim të ri politik. U zgjodh Bukureshti, pasi në të kishte një koloni shqiptare që kishte dhënë ndihmesë në çështjen kombëtare; gjithashtu, Rumania kishte shpallur asnjanësinë e tij ndaj konfliktit ballkanik, ndaj dhe krijonte mundësi për sigurimin e këtij aksioni historik. Etapa e parë e këtij veprimi ishte mbledhja e Bukureshtit, ku u vendos të formohej sa më parë në Shqipëri një komitet drejtues, që të merrte në dorë qeverinë e vendit, të krijohej një komision që do të shkonte në Evropë për të mbrojtur përpara Fuqive të Mëdha të drejtat kombëtare të popullit shqiptar dhe një komitet në Bukuresht që do të bashkërendonte veprimet e komiteteve të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë për t’i ardhur atdheut në ndihmë. Mbledhja e Bukureshtit mobilizoi koloninë shqiptare të atjeshme për ta ndihmuar me të gjitha mënyrat zgjidhjen e drejtë të “çështjes shqiptare”. Në mbledhjen e Bukureshtit e ka origjinën edhe ideja e thirrjes së një kuvendi të përgjithshëm shqiptar, që do të mblidhej në Vlorë më 28 nëntor 1912. (Në fotografi: Luigj Gurakuqi mes shqiptarëve të Bukureshtit, 1912.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1663–1664.
Fotografia: © https://www.facebook.com/historiashqiptareOfficial/photos/a.653267498213959/1431939897013378/?type=3
Përpunim grafik: AHCF




