U nda nga jeta Justiniani I (Flavius Justinianus, 483–565 të pas Kr.), perandor i Bizantit me prejardhje ilire, nga fshati Tauris i Dardanisë, pranë fortesës Bederiana. Gjatë sundimit të tij (527–565) Perandoria Bizantine u bë më e fuqishme. Justiniani I u përpoq të ringjallte perandorinë e dikurshme romake, pushtoi Afrikën Veriore, Sicilinë, Italinë e një pjesë të Spanjës. Kodifikoi të drejtën romake. Ndërmori punime të mëdha ndërtimi, sidomos për të mbrojtur kufijtë e perandorisë në veri nga sulmet e barbarëve. Rindërtoi kështjella të vjetra dhe ndërtoi mjaft të reja. Në provincat ilire të Dardanisë rindërtoi 61 kështjella dhe ndërtoi 8 të reja, në Epirin e Vjetër rindërtoi 25, të reja 12, në Epirin e Ri rindërtoi 26, të reja 32. Emrat e kështjellave të përmendura në këtë rast në veprën e Prokopit të Cesaresë “Mbi ndërtimet” përbëjnë një burim të rëndësishëm për onomastikën ilire. (Në fotografi: Justiniani I, detaj i një mozaiku në Kishën e San Vitale, Ravenna (Itali).)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1077.
Fotografia: © https://www.britannica.com/biography/Justinian-I
Përpunim grafik: AHCF




