Formimi i Brigadës XXV Sulmuese

Lexo ngjarje:

Në Tropojë u formua Brigada XXV Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua me partizanë të batalioneve “Bajram Curri” e “Rinia”, të batalionit territorial dhe të çetave territoriale të Malësisë së Gjakovës e të Hasit. Ditën e përurimit kishte 700 partizanë të rreshtuar në 3 batalione. Qysh në ditët e para veproi për spastrimin e zonës së Plavës e të Gucisë nga forcat naziste. Më 18 nëntor u rreshtua në Divizionin V Sulmues. Nga 21 deri më 25 nëntor, në bashkëveprim me Brigadën VI Sulmuese, zhvilloi luftime kundër forcave gjermane dhe forcave të bajraktarëve të përqendruara në Nikaj-Mërtur e në Dukagjin. Këto luftime përfunduan me çlirimin e këtyre krahinave, më 25 nëntor. Pasi kaloi kufirin shtetëror, më 28 nëntor, Brigada XXV Sulmuese u vendos në qytetin e Gjakovës, ku e rriti efektivin e vet edhe me 550 partizanë të rinj, nga të cilët 200 hasjanë e 350 kosovarë. Më 29–30 nëntor 1944, Brigada XXV Sulmuese kreu një marshim të gjatë prej 80 km nga Gjakova në Ferizaj, në ndihmë të Brigadës II Jugosllave, e cila, bashkë me shtabin e saj, ishte rrethuar në Ferizaj dhe, pasi çliroi këtë qytet dhe fshatrat përreth, bashkë me forcat e tjera të Divizionit V Sulmues, marshoi për në Sanxhak dhe Bosnjën Jugore. Më 30.12.1944, Brigada XXV hyri në luftim në frontin Miloshendoll-mali i Judovikut-Sopotnicë-Stojan-Gvost, ku zëvendësoi Brigadën III Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Për 14 ditë rresht, në një dimër të ashpër zhvilloi luftime të pandërprera kundër fashistëve gjermanë dhe, në bashkëveprim me Brigadën V Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare e njësitë e Korpusit II të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Jugosllave, çliroi qytetin e Priepoljes me fshatrat përreth. Në këto luftime i shkaktoi dëme të ndjeshme armikut në njerëz, armatime e material luftarak. Në maj të vitit 1945, në Mitrovicë të Kosovës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare, Brigada XXV u rreshtua në përbërje të Brigadës V Sulmuese të Divizionit V Sulmues dhe të Brigadës VI Sulmuese e të Brigadës XXII Sulmuese të Divizionit VI Sulmues. Brigada drejtohej nga shtabi me komandant Veli Nimani Doçin. Botonte organin “Luftëtari i lirisë”. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës XXV.)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 308.

Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror

Përpunim grafik: AHCF 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img