Në Karbunarë të Lushnjës u formua Brigada X Sulmuese e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. U formua nga batalionet “Riza Cerova”, “Tefik Lapani” e “Ajet Xhindoli”. Në ditën e formimit kishte 1225 luftëtarë të organizuar në katër batalione. Menjëherë pas organizimit u caktua të merrte pjesë në Luftën e Tiranës. Forcat e saj, në marshim nga Karbunara për në Tiranë, më 8 nëntor goditën në Fatishë të Peqinit një autokolonë gjermane prej 70 makinash, 10 tankesh dhe disa autoblindash, që lëvizte nga Durrësi për në Elbasan, duke i shkaktuar humbje të ndjeshme. Me urdhër të shtabit të Korparmatës I Sulmuese brigada u përqendrua në Kashar, për të mbajtur nën goditje rrugën Tiranë-Kashar dhe rrugën Tiranë-Vorë. Më 11 nëntor sulmoi në befasi forcat gjermane që kishin zënë vijën Yzberish-Yrshek-Kashar-Gjokaj-Vorë dhe më 12 nëntor e kapi këtë vijë, me përjashtim të garnizonit armik të fortifikuar të Vorës. Po atë ditë 3 batalione u vendosën në pritë në rrugën Tiranë-Vorë, ndërsa batalioni II veproi në zonën e Shijakut. Gjatë 7 ditë luftimesh, forcat e Brigadës X Sulmuese i shkaktuan armikut shumë humbje në njerëz dhe i kapën një sasi të madhe të teknikës luftarake. Më 16 nëntor Brigada X Sulmuese çliroi Shijakun e Durrësin. Më 18 nëntor u rreshtua në Divizionin I Sulmues. Brigada drejtohej nga shtabi me komandant Koço Gjeçin dhe komisar Mane Nishovën. (Në fotografi: Partizanë të Brigadës X. Tiranë, nëntor 1944.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 303–304.
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




