U çel Muzeu Arkeologjik i Tiranës, i pari muze i krijuar pas Luftës së II Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan edhe institucionet e fundit muzeore. U hap si Muze Arkeologjik-Etnografik dhe vazhdoi i tillë deri në vitin 1976, kur u veçua pavijoni etnografik dhe ai u organizua si muze i profilizuar arkeologjik. Materiali i ekspozuar përfshin një periudhë kohore nga epokat e gurit, tek ato të metaleve (bronzit e hekurit), kur lindi e u zhvillua etnosi ilir, periudhën e antikitetit ilir dhe periudhën e antikitetit të vonë e mesjetën deri në pushtimin osman. Kërkimet intensive arkeologjike në fushën e prehistorisë, antikitetit dhe mesjetës gjatë viteve në vazhdim bënë të mundur një varg riorganizimesh e rikonstruksionesh të këtij muzeu (1957, 1976, 1982, 1985, 1998) për përmirësimin e mëtejshëm të përmbajtjes dhe ekspozimit. Në sallën e parë dhe të dytë janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së prehistorisë nga paleoliti deri në epokën e hekurit. Objektet e zbuluara nga jugu deri në veri të Shqipërisë janë paraqitur sipas një renditjeje tematike dhe kronologjike, ku qëllimi kryesor i përzgjedhjes së tyre ka qenë lindja dhe krijimi i autenticitetit të etnosit ilir, i cili u krijua dhe u zhvillua në këtë territor. Në sallën e tretë dhe të katërt janë ekspozuar objekte që u përkasin periudhave të ndryshme, që nga shekulli VI para Kr. deri në shekullin IV para Kr. Periudha e antikitetit paraqitet nëpërmjet qendrave qytetare që lulëzuan në shekujt III–II para Kr. në territoret e fiseve kryesore ilire. Në sallën e katërt dy vitrina u janë rezervuar kolonive greke të Dyrrachium-it dhe Apolonisë, të themeluara përgjatë bregdetit ilir. Në sallën e pestë dhe të fundit janë ekspozuar objekte që i përkasin periudhës së mesjetës, të cilat vijnë nga kështjella dhe varreza, sidomos nga varreza e famshme e Komanit. Objektet e ekspozuara në këtë sallë janë konsideruar si hallka e vazhdimësisë nga kultura ilire tek ajo mesjetare. Qëllimi kryesor i këtij sesioni është të dëshmojë që ilirët nuk u romanizuan, por ata vazhduan të jetojnë në të njëjtin territor, duke trashëguar të njëjtën kulturë materiale dhe shpirtërore. (Në fotografi: Pamje e brendshme e Muzeut Arkeologjik të Tiranës.)
Teksti: http://asa.edu.al/site/ma/
Fotografia: © Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë.
Përpunim grafik: AHCF




