Në Pire (Greqi) lindi Anastas Janullatos, Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, profesor, anëtar-korrespondent i Akademisë së Athinës. Në vitin 1952 kreu studimet e larta për teologji në Universitetin e Athinës, ku mori gradën “doktor në teologji” (1970). Ka qenë profesor i historisë së besimeve fetare në Universitetin e Athinës (1972–1977) dhe dekan i Fakultetit Teologjik (1983–1986). Anastas Janullatos u dorëzua dhjak më 1960, prift më 1964 dhe peshkop i Andrusës 1972–1991. Në fillim të vitit 1991 u caktua eksark (përfaqësues) i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës, me detyrë për organizimin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Me kujdesin e tij u përgatitën klerikët e rinj shqiptarë, u bë restaurimi i kishave ekzistuese dhe u ndërtuan kisha të reja ortodokse në të gjithë vendin. Më 24 qershor 1992, në bazë të marrëveshjes së arritur midis përfaqësisë së Patriarkanës Ekumenike dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sali Berisha, Anastas Janullatos u emërua Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. U fronëzua në 2 gusht 1992 në Tiranë. Emërimi i tij shkaktoi kundërshtime dhe protesta nga një grup i madh besimtarësh ortodoksë dhe intelektualësh shqiptarë që kërkonin të zbatohej neni 16 i Statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë i vitit 1929, sipas të cilit kryepeshkopi duhet të jetë shqiptar prej gjaku dhe gjuhe, si dhe të ketë shtetësinë shqiptare. (Në fotografi: Anastas Janullatos)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1063.
Fotografia: © https://orthodoxalbania.org/2020/kryepiskopi-i-tiranes-durresit-dhe-gjithe-shqiperise/#
Përpunim grafik: AHCF




