Në përballje ushtarake me forcat serbe ra Remzi Ademaj, veprimtar, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit, në vitin 1952. Që në fillim të viteve ’80 të shekullit XX emigroi në Perëndim. Në vitin 1985, gjatë kthimit për në Kosovë, u arrestua nga policia italiane dhe iu dorëzua autoriteteve jugosllave. Në verën e vitit 1986, Gjykata e Qarkut të Prizrenit e dënoi me 6 vjet burg, për veprimtari politike. Më 1995 u arrestua për të dytën herë dhe u dënua me 3,5 vjet burg, me akuzë për pjesëmarrje në formimin strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës për anën e Vërrinit. Në fillim të vitit 1998 u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën e Drenicës. Më pas, nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u emërua në detyrën e komandantit të luftës në trevën e Verrinit. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në lagjen “Tusus”, në Hoçë të Qytetit e në rrethinën e Prizrenit. Në gusht të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e emëroi zëvendëskomandant për Zonën Operative të Pashtrikut. Më 14 gusht 1998, me disa bashkëluftëtarë, gjatë rrugës nga Kleçka për në Vërri ra në pritat e forcave serbe, së pari në Tupec, pastaj në Vlashnjë dhe në Grazhdanik. Më 15 gusht të vitit 1998 ra në përballje ushtarake me forcat serbe. (Në fotografi: Remzi Ademaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 8.
Fotografia: © https://5c7bd5d1e8683.site123.me/historiku-i-shkoll%C3%ABs
Përpunim grafik: AHCF




