U nda nga jeta Musine Kokalari, prozatore. Lindi në Adana të Turqisë, në një familje gjirokastrite, në vitin 1917. Ndoqi studimet e larta për letërsi dhe u diplomua në Universitetin e Romës (1938–1941). U kthye në atdhe më 1942. Ishte një nga themelueset e Partisë Socialdemokrate Shqiptare (1944); pas çlirimit u burgos dhe u internua si kundërshtare politike e regjimit. Vdiq e internuar në Rrëshen. Ende studente botoi librin me skica e tregime “Siç më thoshte nënua plakë” (1939), i cili zgjoi interes. Më pas botoi librat “Rreth vatrës” (1944), si edhe “…sa u tunt jeta” (1944). Që në librin e parë bien në sy ngjyrat realiste të përshkrimit, njohja e jetës, e psikologjisë dhe e zakoneve popullore. Përmbledhja “Siç më thoshte nënua plakë” i kushtohet jetës në Gjirokastër dhe është shkruar sipas së folmes së qytetit, për t’i dhënë prozës një ngjyrë autentike. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga Forcat e Mbrojtjes së Popullit dhe gjyqi e dënoi me 20 vite heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe internohet në Rrëshen, ku punoi në bujqësi dhe punëtore llaçi. Në vitin 1981 sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vite më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vite më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”. (Në fotografi: Musine Kokalari)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1204.
Fotografia: © https://musineinstitute.org/musine-kokalari/?lang=en
Përpunim grafik: AHCF




