Në Konstancë (Rumani) doli numri i parë i gazetës “Atdheu” (1912–1914), gazetë e përdyjavshme politike, shoqërore, kulturore, letrare, folklorike. Dilte me moton: “Mbron të drejtat e kombit shqiptar”, në gjuhën shqipe e frëngjisht. Nga nr. 37 (9 prill 1914) deri në fund (numri 67, shtator 1914) doli në Durrës si “Organ kombëtar” i shtetit shqiptar të kryesuar nga Princ Vidi. Drejtohej nga Jani Mihal-Lehova dhe redaktohej nga Milto Sotir Gurra. Në periudhën e parë (deri në vitin 1912) “Atdheu” mbrojti të drejtat e kombit shqiptar, iu kundërvu politikës së xhonturqve për ringritjen e Perandorisë Osmane dhe propagandoi idetë e lirisë, të pavarësisë dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë. Në vitet 1913–1914, “Atdheu” mbrojti shtetin e pavarur të Shqipërisë, përkrahu programin kombëtar të Qeverisë së Vlorës dhe të kryetarit të saj, Ismail Qemalit. Bashkëpunuan figura të njohura, si Aleksandër Stavre Drenova (Asdreni), Jani Vruho, Mihal Grameno, Risto Siliqi etj. (Në fotografi: Ballina e gazetës “Atdheu”.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 140.
Fotografia: © https://www.kultplus.com/lajme/
Përpunim grafik: AHCF




