Në Kukës u var Havzi Nela, poet dhe antikomunist. Pasi kreu shkollën fillore dhe të mesme, filloi studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), por u përjashtua për bindjet e tij si element destruktiv. Më vonë arriti të përfundonte Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, me korrespondencë. Punoi si mësues në fshatra të ndryshme, si Kruma, Lojma dhe Shishtaveci, deri në vitin 1967, kur u transferua në Topojan. Më 26 prill 1967, bashkë me të shoqen, kaluan kufirin me Kosovën. U arrestuan nga ushtarët jugosllavë dhe u burgosën në burgun e Prizrenit. Më 6 maj 1967, jugosllavët i kthyen në pikën kufitare të Morinës, në këmbim të shqiptarëve nga Kosova, që qeveria komuniste e Enver Hoxhës ia dorëzonte policisë sekrete jugosllave. Më 22 maj 1967, u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg për kalim të paligjshëm kufiri. E gjithë pasuria e tij u konfiskua. E shoqja u dënua me dhjetë vjet burg. Më 24 qershor 1988, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesën e Lavdie Nelës, dhe ai u dënua me varje. Miratimi përfundimtar i dënimit me vdekje nga Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, çoi në varjen e tij në vitin 1988, në mes të qytetit të Kukësit. Është dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” nga Presidenti i Republikës. (Në fotografi: Havzi Nela)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, “WestPrint”, Tiranë, 2017, faqe 75.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Havzi_Nela
Përpunim grafik: AHCF




