U vra heroikisht gjatë luftimeve me ushtrinë serbe, Agim Çelaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hero i Kosovës. Lindi në Pejë, në vitin 1961. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje. Kreu studimet në Akademinë e Përgjithshme Ushtarake në Beograd dhe në Zarë të Kroacisë, në degën e artilerisë raketore. Si oficer i ushtrisë jugosllave shërbeu për disa vite në Kroaci. Me fillimin e luftës në Kroaci, në marrëveshje me forcat mbrojtëse kroate, në janar të vitit 1992 i tërhoqi ushtarët shqiptarë që gjendeshin në kazermë në ujdhesën e Visit, ku ai shërbente. Pas luftës së Kroacisë emigroi në Gjermani, prej andej u kthye në Shqipëri dhe në maj të vitit 1988 hyri në Kosovë. Nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu dha detyrë të bënte përgatitjen e njësiteve speciale për reagime të shpejta. Mori pjesë edhe në beteja, si në Llapushnik, në Jashanicë, për mbrojtjen e Kodrës së Hotit etj. Ishte përgjegjës edhe në shumë vija të frontit në Zonën Operative të Drenicës dhe në Zonën Operative të Pashtrikut, si në Açarevë, Llaushë, Kleçkë etj. Në korrik të vitit 1998 u vu në ballë të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për evakuimin e popullatës civile dhe mbrojtjen e Rahovecit. Ra heroikisht më 1998, gjatë sulmit të katërt të ushtrisë serbe. Në vitin 2013 nga presidentja e Kosovës u dekorua me Urdhrin “Hero i Kosovës”. (Në fotografi: Agim Çelaj)
Teksti: Fjalor Enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 272.
Fotografia: © https://www.epokaere.com/
Përpunim grafik: AHCF




