Në Florida (SHBA) u nda nga jeta Sotir Nuni (Lashova), shkrimtar shqiptaro-amerikan. Lindi Lashovë të Ersekës, në vitin 1931. Në moshë fare të re filloi punë si çirak në Korçë. Pushtimi i Shqipërisë e zëmëroi pa masë, ndaj shumë shpejt iu bashkua Luftës Nacionalçlirimtare. Nisi të shkruajë që në vitet 1957, duke bërë emër të mirë në rrethet letrare. Në vitin 1960 ishte në kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe mik me gjithë shkrimtarët e kohës që jetoi. Deri në vitin 1976 botoi gjashtë libra. Libri i tij me titull “Përmes Luftës Çlirimtare” (1970) u hoq nga qarkullimi në vitin 1975. Falë kontributit në luftën e çlirimtare nuk e pësoi si shokët e tij që përfunduan në qelitë e burgut të sistemit komunist, por nuk u lejua të botonte asnjë libër. Nga shtatori i vitit 1997 deri në janar të vitit 2000 botoi edhe dymbëdhjetë libra të tjerë. Në vitin 2007 botoi veprën e tij, që e kishte si peng shpirtëror, “Pellazgët – Stërgjyshërit e kombit shqiptar”, një libër historik ku me terma shkencorë u tregon lexuesve se shqiptarët janë trashëgimtarët e pellazgëve, pra janë kombi më i vjetër në Gadishullin Ballkanik, dikur i quajtur Gadishulli Ilirik. (Në fotografi: Sotir Nuni)
Teksti: https://gazetavatra.com/sotir-lashova-shkrimtar-fabulist-2/
Fotografia: © Lek Gjoka, arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




