U nda nga jeta Sofia Zengo Papadhimitri, ikonografe dhe piktore shqiptare. Lindi në Dardhë të Korçës, më 1915. Mësoi fillimisht të pikturojë me të atin dhe motrat e saj pranë kishave të zonës së Korçës. Studimet e larta i kreu pranë Akademisë së Arteve të Bukura në Athinë, e drejtuar në rrugëtimin e saj nga piktorët më të njohur të kohës, si Spiro Vikatos dhe Umberto Argjiros. Në vitin 1941 kthehet në atdhe, ku i kërkon qeverisë së atëhershme të punonte në detyrën e mësueses së vizatimit, në Shkollën Femërore të Korçës. Së bashku me të motrën, ikonografen dhe piktoren po aq të njohur, Androiniqin, çelën në Tiranë një ekspozitë të përbashkët pikture. Në vitet 1945–1947, Sofia Papadhimitri rivjen me ekspozita të reja për dashamirësit e arteve figurative. I shoqi, skulptori Akile Papadhimitri, ka shërbyer si krahu i saj i djathtë, në vijim të ushtrimit të profesionit të ikonografes. (Në fotografi: Sofia Zengo Papadhimitri)
Teksti: Arkivi Qendror Shtetëror
Fotografia: © Arkivi Qendror Shtetëror
Përpunim grafik: AHCF




