Në Fier, u nda nga jeta Sejfulla Malëshova (Lame Kodra), veprimtar politik, shkrimtar, përkthyes. Lindi në Malëshovë të Këlcyrës, më 1900. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, kurse studimet e mesme në kolegjin e Shën Dhimitër Koronës, në Kalabri (Itali). Aty, së bashku me mikun e tij Odhise Paskali botoi revistën “Studenti shqiptar”, ku nxori dhe vjershat e tij të para. Studimet e larta për mjekësi i kreu në Romë. Më 1924 u zgjodh sekretari personal i Fan Nolit në qeverinë e tij demokratike. Me rrëzimin e Nolit, migroi në Paris e, së andejmi, në Moskë, ku studioi dhe më vonë dha mësim marksizmin. Në Bashkimin Sovjetik, më 1930 hyri në Partinë Komuniste. Në vitin 1938 u kthye sërish në Paris e, pas pushtimit të tij nga gjermanët, u vendos në Grenobël. Në verën e vitit 1943 u kthye në Shqipëri, ku u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Më 7 tetor 1945 organizoi Kongresin e Parë të Shkrimtarëve Shqiptarë, ku u bë dhe themelimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me 74 anëtarë, komunistë e jo komunistë. Pa kaluar shumë kohë, ai u bë zëdhënës i njërit prej dy fraksioneve që rivalizonin për pushtet brenda në parti. Por me përkrahjen e komunistëve jugosllavë, fraksioni i kundërshtarit të tij, Koçi Xoxe, fitoi në fillim të vitit 1946 dhe Malëshova ra. Në një mbledhje të Komitetit Qendror më 21 shkurt 1946, Malëshova u akuzua për opurtinizëm dhe devijim të djathtë dhe u përjashtua si nga Byroja Politike, ashtu dhe nga Komiteti Qendror. U internua për tre vjet në Ballsh, kurse pjesën tjetër të jetës e kaloi në internim të brendshëm si magazinier në Fier, ku, për vite, asnjë banor i qytetit nuk guxonte t’i fliste. (Në fotografi: Sejfulla Malëshova)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 173–174.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




