Në Tiranë lindi Qazim Turdiu, matematikan, profesor, Mësues i Popullit. Në vendlindje kreu shkollën e mesme. Pas përfundimit të studimeve. universitare në Monpelje (Francë), gjatë të cilave u nderua edhe me një çmim, punoi disa vite si mësues gjimnazi në Shkodër dhe në Tiranë. Me krijimin e Institutit Pedagogjik Dyvjeçar (1946), u emërua pedagog në të. Pas themelimit të instituteve 4-vjeçare të arsimit të lartë (1951) dhe të Universitetit të Tiranës, ka punuar në to për më shumë se 30 vjet, në fillim në degët e mësuesisë dhe më pas kryesisht në Fakultetin e Inxhinierisë. Ka qenë titullar i disa lëndëve kryesore në degën e matematikë-fizikës. Deri në fundin e viteve ’50 të shekullit XX, u angazhua në kualifikimin shkencor e metodik të mësuesve të rinj. Përshtatjet e tij “Gjeometria analitike” dhe “Algjebra” për shkollën e mesme (1951), hapën rrugën për krijimin e teksteve origjinale, si “Trigonometrial plane” (1961, me bashkautor), “Elemente të analizës matematike” (1963) etj. Nismëtar i kërkimeve në didaktikën e matematikës, botoi si bashkautor veprat “Matematika si shkencë dhe si lëndë shkollore I, II” (1972), “Metodika e algjebrës I, II” (1978), “Metodika e aritmetikës” (1981) etj. Botoi artikuj e punime për probleme të veçanta të mësimdhënies së matematikës në revista shkencore pedagogjike. Është autor i librit “Matematika në shekuj” (1976), e para trajtesë tërësore në gjuhën shqipe për zhvillimin historik të matematikës. (Në fotografi: Qazim Turdiu)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2763–2764.
Fotografia: © Kadiu A., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




