Në fshatin Idrizaj të Gjilanit lindi Mulla Idris Gjilani, klerik, një nga organizatorët dhe drejtuesit kryesorë të qëndresës kundër rivendosjes së pushtetit jugosllav në Kosovë në mbarim të Luftës II Botërore. Kreu medresenë në Gjilan (1926) dhe shërbeu në xhamitë e Pidikut, të Hogoshtit, të Malishtës e të Gjilanit. Në vitin 1938 u zgjodh kryeimam i Gjilanit. Bashkëpunoi me revistën për kulturë e shkencë islame “Gllasnik” (“Zëri”) të Sarajevës dhe fshehtas dha mësim në gjuhën shqipe. U mor me veprimtari politike. Mulla Idris Gjilani ishte personaliteti më me ndikim në radhët e shqiptarëve në Anamoravë, Karadak e Hashani të Kosovës Lindore. Në gusht të vitit 1943, komandant i forcave vullnetare për nënprefekturën e Gjilanit, luftoi kundër njësive serbe e bullgare në Velegllavë (28 qershor), Kikë (26 korrik), Bujanoc (18 tetor) dhe Preshevë (19 shtator) (1944). Në nëntor 1944 ishte ndër nismëtarët e qëndresës kundër vendosjes së pushtetit komunist jugosllav dhe në Kuvendin Themelues të Shtabit Suprem të Kosovës, që u mbajt më 1 dhjetor 1944 në Tërpezë të Vitisë, përfaqësoi komandantët e çetave të Kosovës Lindore. Më 19–20 dhjetor 1944 ishte në krye të forcave shqiptare që luftuan kundër Brigadës XVII maqedonase. Pas takimeve me drejtues të forcave partizane nga Shqipëria e Kosova dhe premtimeve të tyre se pas qetësimit të gjendjes Kosova dhe viset shqiptare të Jugosllavisë do të bashkoheshin me Shqipërinë, u tërhoq nga lufta dhe për 5 vjet jetoi në ilegalitet. U zbulua nga organet e UDB-së (Sigurimi Shtetëror Jugosllav), u arrestua dhe u vra më 1949. (Në fotografi: Mulla Idris Gjilani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 839.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Idriz_Gjilani
Përpunim grafik: AHCF




