3 qershor – 25 gusht 1998
Në Kosovë u zhvilluan “Luftimet e Luzhnicës” kundër forcave serbe në Bajrak të Luzhnicës (Kosovë). Ato kishin për qëllim t’u pamundësonin forcave serbe lëvizjen nëpër grykën e Caralevës, në drejtim të Duhlës dhe depërtimin e tyre në zonat ku ishte vendosur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënë që, për një kohë të gjatë, Bajraku i Luzhnicës të ishte i pakalueshëm për forcat serbe dhe për teknikën luftarake të tyre, e dislokuar në qafën e Duhlës. Në luftimet e datës 24–25 gusht 1998 morën pjesë rreth 150 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Numri i forcave të armikut ishte disa herë më i madh dhe i pajisur me teknikë e armatime nga më modernet. Luftimet zgjatën më shumë se 37 orë, duke kaluar edhe në ndeshje trup me trup. Në këto luftime ra komandanti i trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, dhe 5 luftëtarë. Humbjet e armikut në njerëz dhe në teknikë luftarake ishin disa herë më të mëdha. Pas këtyre luftimeve, forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u tërhoqën përkohësisht, që të përgatiteshin për të rimarrë sërish pozicionet e Bajrakut të Luzhnicës, më 28 tetor 1998. (Në fotografi: Fshati Luzhnicë)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1561.
Fotografia: © https://www.facebook.com/photo/?fbid=500908712037899&set=pb.100063563223377.-2207520000.
Përpunim grafik: AHCF




