Kadri Gjata

Lexo ngjarje:

U vra nga qarqet greke Kadri (Kumbaro) Gjata, veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së fundit të Rilindjes. Lindi në Libohovë, në vitin 1865. Mësimet e para i mori në vendlindje. Më 1880 shkoi në Janinë ku vazhdoi Medresenë dhe u lidh me rrethet atdhetare shqiptare, që ndikuan në formimin e tij atdhetar. Pas shpalljes së Kushtetutës (korrik 1908), iu kushtua lëvizjes politike-kulturore. Me themelimin e klubit “Bashkimi” të Janinës (1908) u bë një ndër anëtarët më aktivë të tij, u zgjodh në kryesinë e këtij klubi dhe në vitin 1910, kryetar i tij. Ndihmoi me mjetet e tij financiare veprimtarinë e klubit. Punoi për përhapjen e shkollave e të mësimit shqip dhe për ngritjen e ndërgjegjes politike të shqiptarëve. Nën drejtimin e Kadri Gjatës klubi u bë vatër e propagandës së ideve kombëtare dhe një qendër udhëheqëse për organizimin e drejtimin e veprimtarisë atdhetare në të gjitha krahinat e Jugut. Me mbështetjen materiale të Kadri Gjatës u ngrit pranë klubit të Janinës një bibliotekë me libra në gjuhën shqipe, që shërbeu për krijimin e rrethit letrar “Toskëria”, i cili, më pas, po me nismën e Gjatës u riorganizua në shoqëri studentore me emrin “Qarku Literal”. Shoqëria iu kundërvu propagandës dhe veprimeve antishqiptare që zhvillonin shoqëritë e studentëve turq e grekë në Janinë dhe mbrojti alfabetin e gjuhës shqipe. Kadri Gjata ishte ndër themeluesit e gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”, organ periodik i klubit “Bashkimi” të Janinës. Për veprimtarinë e tij atdhetare Kadri Gjata u përndoq nga qarqet greke, të cilat arritën ta vrasin me anën e një çete komitësh në vitin 1912. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Kadri Gjata)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 812.

Fotografia: © https://memorie.al/

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img