Hysen Tërpeza

Lexo ngjarje:

U nda nga jeta Hysen Tërpeza, antikomunist, veprimtar nacionalist. Lindi në Tërpezë të Vitisë, më 10 qershor 1910. Më 1916, familjen ia internuan pushtuesit bullgarë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore kthehet në vendlindje. Që nga viti 1933 iu bashkua veprimtarëve patriotë të Anamoravës, duke i kundërshtuar padrejtësitë e Mbretërisë Jugosllave ndaj shqiptarëve. Gjatë periudhës së pushtimit italian (1941–1943) ishte kryetar i komunës në Pozhoran. U burgos nga policia italiane dhe ajo gjermane. Në korrik–nëntor 1944, së bashku më Idriz Gjilanin dhe bashkëveprimtarë të tjerë të Anamoravës, u ngrit kundër depërtimit të njësiteve partizane serbe e bullgare në territorin e Kosovës. Me Adem Gllavicën organizoi Kuvendin e Tërpezës, më 1 dhjetor 1944, në të cilin u formua Shtabi Kryesor i Rezistencës në Kosovë. Më 15–16 gusht 1945 mori pjesë në Kongresin e Parë të Lëvizjes së Rezistencës që u mbajt në Tanushë të Kopilakës, ku u krijua Ushtria Popullore Demokratike Shqiptare dhe Shtabi Suprem i Luftës, në krye të të cilit u zgjodh Hysen Tërpeza. Në dhjetor të vitit 1945 u largua për në Greqi. Më pas emigroi (1949) dhe iu bashkua Komitetit “Shqipëria Lirë” të Mithat Frashërit. Më 1956 u largua nga Italia dhe emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kontaktoi dhe bashkëpunoi me mërgatën shqiptare dhe me personalitete të njohura botërore lidhur me çështjen shqiptare. Është autor i veprave “Ka me na gjykue Nana Kosovë” (Nju-Jork, 1972), “Unë Hysen Tërpeza, luftëtar i Shqipërisë Etnike” (1976) etj. Më 1995 u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Medalje të Artë të Urdhrit “Skënderbeu”. Pas çlirimit të Kosovës, pas 54 vitesh mërgimi, Hysen Tërpeza u kthye në Kosovë. U nda nga jeta më 2002 dhe u varros në Varrezat e Dëshmorëve në Viti. (Në fotografi: Hysen Tërpeza)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1661.

Fotografia: © http://orashqiptare.blogspot.com/2013/06/hysen-terpeza.html

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img