Në Bergama (Turqi), u nda nga jeta Hasan Feri, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë periudhës së fundit të shekullit XIX dhe dekadave të para të shekullit XX. Prijësi kryesor i saj për krahinën Plave-Guci. Lind në Plavë, më 1864. Ishte djali i parë i Jakup Ferit. Në vitet ’90 të shekullit XIX drejtoi veprimet për mbrojtjen e Krahinës kundër bandave malazeze. Në vitin 1899, mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Pejës përkrah drejtuesit të saj. Haxhi Zekës. Që nga ajo kohë e deri më 1912 përfaqësoi Plavë-Gucinë në të gjitha veprimtaritë politike e luftarake të Lëvizjes Kombëtare në trevat shqiptare veriore e verilindore. Bashkëpunoi me Isa Boletinin, Bajram Currin, Hasan Prishtinën etj., në kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1909–1912. Në vjeshtën e vitit 1912 organizoi, së bashku me Bajram Currin, qëndresën kundër ushtrisë malazeze që sulmoi Plavën e Gucinë. Pas shpalljes së pavarësisë, Hasan Feri vazhdoi të ishte një figurë e rëndësishme e lëvizjes kombëtare. Në kuadrin e veprimtarisë për të vënë në jetë programin e saj, kur Lufta e Parë Botërore po i afrohej fundit, Hasan Feri intensifikoi përpjekjet për të shmangur ripushtimin serbo-malazez të krahinës dhe ripërsëritjen e terrorit të viteve 1912–1913. Me përkrahjen e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, së bashku me bashkëqytetarët e tij kontribuoi në mbrojtjen e lirisë së krahinës deri në shkurtin e vitit 1919. Në vitin 1920, edhe pse i mërguar në Shkodër, luajti rol të rëndësishëm për mobilizimin e forcave vullnetare shqiptare që u angazhuan në Koplik, për përballimin e ndërhyrjes ushtarake jugosllave. Në ballafaqimet politike në Shqipëri në vitet 1921–1924 u pozicionua përkrah opozitës demokratike. Përkrahja që i dha Revolucionit të Qershorit më 1924, e çoi në burg në vitin 1925. Përballë persekutimeve dhe vështirësive ekonomike, në vitin 1938 u detyrua të shpërngulej në Turqi. (Në fotografi: Hasan Feri)
Teksti: Marenglen Verli, 101 profile nga Kosova për Kosovën, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Adel-co”, Tiranë, 2017, faqe 373.
Fotografia: © Marenglen Verli
Përpunim grafik: AHCF




