U nda nga jeta Drago Siliqi, poet dhe kritik letrar. Lindi në Tiranë, në vitin 1930. Në moshë të re u përfshi në lëvizjen antifashiste. Në vitet 1952–1957 ndoqi studimet e larta në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki”, në Moskë. Ka punuar si gazetar në “Zërin e Popullit” dhe më pas drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Humbi jetën në një aksident ajror. Poezia e Drago Siliqit është e prirjes realiste, me ndjeshmëri ndaj lëvrimit të tematikës së shndërrimeve shoqërore në periudhën e pasluftës. Shkrimet kritike të Drago Siliqit harmonizojnë objektivitetin e gjykimit me prirjen për të vërejtur e përshëndetur dukuritë e reja letrare të kohës. Në to kanë gjetur vlerësime e përkrahje veprat e mjaft krijuesve të rinj, disa prej të cilëve do të afirmoheshin në vitet e mëpasme për risitë artistike që sillnin në procesin letrar. Si drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” ndikoi për shtimin e botimeve letrare dhe për përkthimin e një vargu veprash klasike e kryeveprash të letërsisë botërore, duke aktivizuar e përkrahur një grup përkthyesish të shquar. Krijimtaria poetike e Drago Siliqit është përmbledhur në vëllimet “Kur zemra flet” (1970) dhe “Poezi të zgjedhura për fëmijë” (1976), ndërsa shkrimet kritike në vëllimin “Në kërkim të së resë” (1969), që njohu disa ribotime. Vepra letrare e Drago Siliqit u botua në dy vëllime, më 1986. (Në fotografi: Drago Siliqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2327.
Fotografia: © https://gazetavatra.com/drago-siliqi-poeti-qe-iku-i-ri/
Përpunim grafik: AHCF




