Çerçiz Topulli

Lexo ngjarje:

U vra në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga forcat malazeze Çerçiz Topulli, atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare, udhëheqës i luftës së armatosur të çetave për çlirimin kombëtar të vendit, Hero i Popullit. Lindi në Gjirokastër, në vitin 1880. Mjedisi familjar e sidomos vëllai më i madh, Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar. Mori pjesë në veprimtarinë e komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, në Gjirokastër. Në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, në fillim të marsit 1908, anëtarë të çetës së tij vranë, në Gjirokastër, komandantin turk të xhandarmërisë. Komandoi me trimëri çetën në Përpjekjen e Mashkullorës (18 mars 1908). Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë”, drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpnesa e Shqypeniis”, Çerçiz Topulli, pasi dënonte grabitjet e administratës osmane, kërkonte që Shqipëria të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë, ishte kryengritja e përgjithshme e armatosur dhe ftonte gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për liri. Pas fitores së revolucionit xhonturk të vitit 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1912) u vu në shërbim të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës dhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut. U vra në Fushën e Shtoit (Shkodër), në vitin 1915. Më 1937 eshtrat e Çerçiz Topullit u sollën në Gjirokastër. (Në fotografi: Çerçiz Topulli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2730.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/%C3%87er%C3%A7iz_Topulli

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img