Në Shkodër lindi Fadil Paçrami, veprimtar politik, gazetar e publicist, dramaturg, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në vendlindje kreu gjimnazin. Pastaj u dërgua në Bolonjë për të studiuar mjekësi. Më 1942 i ndërpreu studimet, për t’u bashkuar me lëvizjen partizane në Shqipëri. Pas lufte punoi në organizatën e rinisë komuniste dhe, më vonë, u zgjodh zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës nën Sejfulla Malëshovën, dhe kryeredaktor i së përditshmes “Zëri i Popullit” (1948–1957). Më 1965–1966 ushtroi detyrën e ministrit të Kulturës dhe të Arteve, dhe nga viti 1971 deri më 1973 atë të kryetarit të Kuvendit Popullor. Pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar (25 dhjetor 1972), u akuzua për liberalizëm. Në Plenumin e Katërt të Komitetit Qendror (26–28 qershor 1973), ai dhe Todi Lubonja u piketuan nga Enver Hoxha në një fushatë kundër ndikimeve të huaja liberale në kulturën shqiptare. U arrestua më 21 tetor 1975 dhe, pas tetëmbëdhjetë muajsh në burgun e Tiranës, në mars 1977 u shpall fajtor për sabotim në fushën e kulturës, sepse kishte lejuar ndikimet e huaja, duke zvetënuar kësisoj rininë. U dënua me 25 vjet burg. Dënimin e vuajti në burgun e Burrelit dhe në atë të Kosovës së Madhe, në afërsi të Elbasanit. U lirua më 17 mars të vitit 1991, dy javë përpara zgjedhjeve të para pluraliste. Është autori i disa dramave, si: “Në tufan” (1959), “Mbi gërmadha” (1962), “Shtëpia në bulevard” (1964), “E bardha dhe e zeza” (1968), “Rrugëve të pashkelura” (1968), “Ngjarje në fabrikë” (1969), “Lagja e vjetër” (1969), “19 ditë” (1969), “Çështja e inxhinier Saimirit” (1971), “Viti 61” (1971) etj. (Në fotografi: Fadil Paçrami)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. VI, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2017, faqe 165-166.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




