Në Gosë të Kavajës u pushkatua Margarita Tutulani, veprimtare e lëvizjes komuniste, pjesëmarrëse e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Heroinë e Popullit. Lindi në Berat, më 20 korrik 1924. Nxënëse në Institutin Femnor të Tiranës, përqafoi idetë komuniste dhe u përfshi në lëvizjen kundër monarkisë (1938). Mori pjesë në demonstratat antifashiste në Tiranë. Propagandiste e ideve komuniste e antifashiste në qytetin e Beratit. Anëtare e Partisë Komuniste Shqiptare, më 1942; anëtare e Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste Shqiptare për Beratin (1943), punoi për organizimin e grave dhe të rejave në luftë për çlirimin e vendit. U arrestua bashkë me të vëllanë, Kristaq Tutulanin, anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare; u torturua disa ditë në burgun e Beratit dhe u vra barbarisht nga fashistët, më 1943. (Në fotografi: Margarita Tutulani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2769.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Margarita_Tutulani
Përpunim grafik: AHCF




