Kujtim Spahivogli

Lexo ngjarje:

Në Tiranë, u nda nga jeta Kujtim Spahivogli, regjisor i teatrit, pedagog, Artist i Popullit. Lindi në Lushnjë, në vitin 1932. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”. Ndoqi studimet e larta për regji dhe u diplomua në Institutin Shtetëror të Artit Teatror (GITIS) në Moskë (1956). Filloi punën si aktor dhe regjisor në Teatrin Popullor; pedagog në Institutin e Lartë të Arteve nga viti 1960. Në vitin 1973 u dënua nga Plenumi IV i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe u dërgua të punojë si punëtor në rrethin e Fierit; më pas, si punonjës kulture në fshatrat e Tiranës. Ndër rolet më të arritura që ka interpretuar si aktor, janë: Hamleti (1960), Selimi në dramën “Familja e peshkatarit” dhe në filmin “Oshtimë në bregdet” (1966). Si regjisor prirej nga një gjuhë konvencionale, si te vënia në skenë e komedive “Gratë gazmore të Uindsorit” (Shekspir), “Banja” (Majakovski), “Karnavalet e Korçës” (Spiro Çomora) në Teatrin e Kombësive në Shkup. Ai krijonte simbioza organike, ku përpuqeshin e shkriheshin në mënyrë të natyrshme konvencionaliteti, plastika, vizualiteti, simbolika dhe natyralistja (shfaqjet “Shumë zhurmë për asgjë”, “I çuditshmi”, “Mbytja e skuadrës”, “Tragjedia optimiste”, “Shtëpia në bulevard”, “Ngjarje në fabrikë” etj.). Eksperimentoi me sukses në elementet e skenografisë. Kujtim Spahivogli u bë nismëtar i ngritjes së Teatrit të të Rinjve pranë Institutit të Lartë të Arteve, falë të cilit u krijuan gjasa për alternativa teatrore. Shkroi dramën “Një shok i klasës sonë”, që pati sukses të bujshëm në vitet 1970–1972, si edhe vjersha, poema, ese etj. (Në fotografi: Kujtim Spahivogli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2376–2377.

Fotografia: © Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Tiranë.

Përpunim grafik: AHCF 

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img