22 korrik – 3 gusht 1922
U mblodh Kongresi Arsimor Kombëtar i Tiranës, ku morën pjesë rreth 40 delegatë, që përfaqësonin krahina të ndryshme të Shqipërisë, ndërmjet të cilëve përmenden: Aleksandër Xhuvani, Jani Minga, Salih Çeka, Thoma Papapano, Kolë Kamsi etj. U ftuan deputetë e figura të shquara të arsimit, si Luigj Gurakuqi, ministri Rexhep Mitrovica etj. Kongresi miratoi sistemin e ri të shkollës fillore 6-vjeçare në qytet e 4-vjeçare në fshat; kërkoi realizimin e arsimit fillor të detyruar për meshkuj e femra të moshës mbi 6 vjeç; miratoi suprimimin e shkollave qytetëse dhe mori vendim për çeljen e shkollave profesionale 3-vjeçare dhe të gjimnazit 6-vjeçar. Kongresi mori vendim për ngritjen e strehëve foshnjore, botimin e një reviste pedagogjike, mbledhjen e thesarit gjuhësor dhe përgatitjen e një fjalori të gjuhës shqipe; futjen në programet mësimore të lëndëve të moralit e të edukatës qytetare, të punëve praktike me dorë dhe punës në kopshte etj. Kongresi i dha një vlerësim të ri mësimit të lëndëve të shkencave ekzakte e natyrore dhe forcimit të përmbajtjes kombëtare të lëndëve të historisë, gjuhës, letërsisë etj. (Në fotografi: Delegatë pjesëmarrës në Kongresin Arsimor të Tiranës.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1253.
Fotografia: © https://www.radiandradi.com/kongresi-arsimor-i-tiranes-1922-nga-engjell-zerdelia/
Përpunim grafik: AHCF




