Hasan Prishtina

Lexo ngjarje:

Më 27 prill 1873, në Vushtrri të Kosovës lindi Hasan Prishtina, veprimtar i lëvizjes kombëtare të periudhës së Rilindjes për një shtet demokratik në Shqipëri, për çlirimin e Kosovës dhe për bashkimin e saj me shtetin e pavarur shqiptar. Kreu gjimnazin francez në Selanik dhe shkollën e lartë të administratës, në Stamboll. U zgjodh tri herë deputet në parlamentin osman, ku mbrojti të drejtat kombëtare të shqiptarëve (1908–1912). Në fillim të vitit 1912, së bashku me Ismail Qemal Vlorën ishte ndër nismëtarët e organizimit të Kryengritjes së Përgjithshme Kundërosmane dhe udhëheqës kryesor i saj. Përkrahu Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë (1912) dhe ishte ministër i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Gjatë periudhës mars–shtator 1914 mbështeti Vilhelm Vidin, të cilin e shihte si simbol të shtetit shqiptar të pavarur dhe për disa muaj (15.03.–20.05.1914) mori pjesë në qeverinë e Turhan Përmetit si ministër i Postë Telegrafave. Gjatë vitit 1915 qëndroi në ilegalitet në Malësinë e Gjakovës, ku u mor me organizimin e qëndresës në Kosovë dhe në viset e tjera të pushtuara nga ushtritë serbe e malazeze. Në periudhën 1916–1918 bashkëpunoi me autoritetet austriake të pushtimit duke shpresuar se me këtë rrugë mund të realizohej pas luftës bashkimi përfundimtar i Kosovës me shtetin shqiptar. Në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në Këshillin Kombëtar. Gjatë krizës politike të dhjetorit të atij viti u ngarkua nga Këshilli i Lartë të formonte qeverinë më 7 dhjetor 1921, por dha dorëheqjen më 12 dhjetor në interes të stabilitetit të vendit. Gjatë viteve 1922–1923 u shqua si një nga figurat e opozitës në Shqipëri. I strehuar në Zonën Neutrale të Junikut për t’u shpëtuar ndjekjeve të qeverisë së Ahmet Zogut, u përpoq të mbante gjallë këtë bazë të kryengritësve. Në vitin 1924, krahas veprimtarisë si udhëheqës e organizator i lëvizjes së armatosur kaçake në Kosovë kundër sundimit serb, mori pjesë edhe në përgatitjen në Shqipëri të Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, që solli në pushtet qeverinë e Fan Nolit. Pas fitores së Kryengritjes së Qershorit u kthye në Tiranë. Shoqëroi Fan Nolin në Lidhjen e Kombeve. Në atë kohë, si edhe gjatë tërë jetës si mërgimtar politik (në vitet 1925–1933) punoi pareshtur për të siguruar përkrahjen e opinionit publik botëror, të forumeve ndërkombëtare dhe të kancelarive të Fuqive të Mëdha për çështjen e Kosovës. Hasan Prishtina ishte përfaqësues i krahut radikal të mërgatës politike shqiptare. Çlirimin e Kosovës e shihte të lidhur me ndryshimin e regjimit në Shqipëri. Ishte nismëtar i bashkëpunimit me organizatat nacionalçlirimtare në Maqedoni, Bosnjë e Kroaci, që luftonin për t’u çliruar nga zgjedha serbe. Punoi për bashkërendimin e luftës së popujve të robëruar të Ballkanit. Shpresonte se me krijimin e shteteve kombëtare dhe me ndërprerjen e çdo forme hegjemonie mbi popujt e Ballkanit, do të krijoheshin kushtet për bashkëpunimin ndërmjet tyre. Në bashkëpunim me anëtarët e organizatës “Bashkimi Kombëtar”, mori pjesë në përgatitjen e atentatit që u krye në Vjenë kundër Ahmet Zogut (1931). Hasan Prishtinës iu bënë katër atentate nga kundërshtarët politikë; u burgos dy herë nga pushtuesit serbë e bullgarë dhe u dënua gjashtë herë me vdekje (nga xhonturqit, nga Esad Toptani, nga qeveria serbe dhe tri herë nga qeveria e Ahmet Zogut). Hasan Prishtina ka shkruar një varg artikujsh dhe një përmbledhjeje kujtimesh për kryengritjen kundërosmane të vitit 1912, me vlera të mirëfillta historike. U vra në Selanik me atentat, më 1933. Në vitin 1977 eshtrat e Hasan Prishtinës u sollën në Shqipëri dhe u rivarrosën me nderime zyrtare në Kukës. (Në fotografi: Hasan Prishtina)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2096-2097.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Hasan_Prishtina

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img