U nda nga jeta Gaspër Pali, poet lirik. Lindi në Shkodër, në vitin 1916. Në vendlindje ndoqi gjimnazin. Kreu studimet për letërsi në Universitetin e Firences (1940). Punoi si mësues. Hapat e parë letrarë i bëri nga fundi i viteve ’30 të shekullit XX, duke bashkëpunuar me revistat “Rilindja” (Korçë), “Cirka” (Shkodër) etj. Shkroi kryesisht poezi, në të cilat spikat prirja soditëse, një frymë e lehtë melankolike, lirizmi i vetvetishëm. Malli për vendlindjen, dashuria e pastër dhe e druajtur, ëndrra për një lumturi që nuk arrihet, janë motivet kryesore të poezisë së Gaspër Palit, në të cilën herë-herë ndihet një notë e lehtë pakënaqësie ndaj realitetit të kohës. La në dorëshkrim shumë vjersha. Pjesa më me vlerë e krijimeve të tij poetike u përmblodh në vëllimin “Hyjt mbi greminë” (1959). (Në fotografi: Gaspër Pali)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 1920.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Skeda:Gasper_Pali.jpg
Përpunim grafik: AHCF




