U nda nga jeta Antonino Guxeta (Guzzeta), gjuhëtar dhe albanolog, profesor. Lindi në Horën e Arbëreshëve pranë Palermos (Sicili), në vitin 1922. Ndoqi studimet e larta dhe u diplomua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit të Palermos, ku nisi e zhvilloi edhe karrierën akademike, fillimisht si asistent e më pas si profesor i fonetikës dhe i gjuhësisë së përgjithshme. Nga viti 1974, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit; gjatë viteve 1975–1997 ka drejtuar Institutin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Palermos. Ka dhënë mësim gjithashtu edhe në Universitetin e Kalabrisë (1987–1990). Nga viti 1968 ka drejtuar Qendrën e Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrotta”. Ndër kontributet e shumta në lëmë të albanologjisë (letërsi, dialektologji, gjuhësi historike dhe sinkronike, folklor etj.) përmenden: “Tracce della lingua albanese nel secolo XV nella documentazione veneta dell’epoca”, I, 1968; II, 1973, Palermo (“Gjurmë të shqipes së shekullit XV në dokumentet venedikase të kohës”); “Ernest Koliqi, un poeta sociale”, 1968; “L’incanto del vero: i racconti di Ernest Koliqi fra tradizione e rinnovamento”, 1974 (“Magjia e së vërtetës: tregimet e Ernest Koliqit ndërmjet traditës dhe ripërtëritjes”); “L’etnia albanese in Italia”, 1988 (“Etnia shqiptare në Itali”); “I rapporti Arbëresho-Shqiptarë attraverso i secoli”, 1989 (“Raportet arbëreshe-shqiptare gjatë shekujve”). Antonino Guxeta ka organizuar rregullisht kongrese ndërkombëtare albanologjike në Palermo, si dhe ka përgatitur botimin e vëllimeve me aktet e tyre (Kongresi XXVIII, 2002). Veprimtaria e tij i ka dhënë nxitje zhvillimit të albanologjisë në universitetet italiane gjatë një periudhe të vështirë, duke garantuar formimin e një brezi të ri studiuesish arbëreshë. Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” të klasit I. (Në fotografi: Fshati Hora e Arbëreshëve afër Palermos, Sicili.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 805–806.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Hora_e_Arb%C3%ABresh%C3%ABvet
Përpunim grafik: AHCF




