Adem Demaçi

Lexo ngjarje:

Në Prishtinë u nda nga jeta Adem Demaçi, veprimtar për çështjen kombëtare në Kosovë dhe për të drejtat e njeriut. Lindi në Prishtinë, në vitin 1936. Kreu Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, vijoi studimet për shkencat juridike në Prishtinë dhe për letërsi në Beograd. Në vitet ’50 punoi në gazetën “Rilindja” dhe në shtëpinë botuese “Rilindja”, ku botoi një varg shkrimesh publicistike, tregime, vjersha dhe përkthime letrare. U bë i njohur me veprën “Gjarpinjt e gjakut” (1958), që trajton plagën e dhimbshme të gjakmarrjes. Qysh në moshë të re u angazhua në lëvizjen kombëtare të shqiptarëve të Kosovës, duke ngritur zërin kundër shpërnguljeve dhe diskriminimit kombëtar ndaj tyre. Në vitin 1958 u dënua me 3 vjet burgim. Pas daljes nga burgu (1961) vijoi ilegalisht veprimtarinë e tij, duke krijuar organizatën “Lëvizja revolucionare e bashkimit të shqiptarëve”, e cila kishte si objektiv bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Për këtë veprimtari u dënua me 15 vjet heqje lirie (1964). Në gjyq mbrojti pikëpamjet e tij për bashkimin e trojeve shqiptare dhe kjo e bëri të njohur për popullin e Kosovës. U lirua nga burgu më 8 qershor 1974, por pas një viti u arrestua për të tretën herë dhe u dënua me 15 vjet heqje lirie. U lirua më 28 prill 1990. Për vuajtjet e tij gjatë 28 viteve në burg, si disident në Jugosllavi, u vlerësua me çmimin “Saharov” në Strasburg (1991). E vijoi veprimtarinë e tij kombëtare dhe në vitin 1998 u bë përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E mbajti këtë detyrë deri në shkurt 1999, kur dha dorëheqjen, pasi nuk u pajtua me pjesëmarrjen e shqiptarëve në Konferencën e Rambujesë (1999). Pas vendosjes së Kosovës nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Adem Demaçi ka mbajtur ligjërata në degën e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës dhe ushtroi veprimtari shoqërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë. (Në fotografi: Adem Demaçi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 440.

Fotografia: © https://prishtinainsight.com/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img