Më 14 prill 1915, në Shkodër lindi Zef Mala, publicist e aktivist politik. Përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera në kolegjin e urdhrit Jezuit në qytetin e Shkodrës. Një vit më pas, nisi të botojë në Tiranë gazetën “Besa”. Në periudhën e monarkisë fitoi një bursë studimi nga mbreti Zog në Universitetin e Vjenës, në Fakultetin e Filozofisë. Në vitin 1937, themeloi grupin komunist të Shkodrës në bashkëpunim me Qemal Stafën, Vasil Shanton dhe Tuk Jakovën. Gjatë kësaj periudhe ai kërkonte rrëzimin e sistemit monarkist. Për këtë arsye u dënua me 10 vjet burg dhe u dërgua në fshatin Mbreshtan të Beratit. Më vonë, duke përfituar prej pushtimit italian, u arratis në 6 prill 1939 së bashku me Vasil Shanton. U kap nga autoritetet fashiste dhe u soll në Shqipëri për t’u dënuar me 14 vjet burg. U lirua pas kapitullimit të Italisë fashiste, në shtator 1943. Me kërkesë të Enver Hoxhës u bë pjesë në Batalionin e Dytë në grupin e Pezës. Në këtë grup ndodhej dhe i dërguari i posaçëm i Beogradit, Miladin Popoviçi. Në vitin 1946, kur punonte në bibliotekën kombëtare, arrestohet papritur dhe dënohet me 10 vjet burg. Motivi i dënimit ishte “për qëndrimet politike kundër bashkëpunimit me Partinë Komuniste Jugosllave”. Kryen dy vite dënim; lirohet më 19 janar 1949 përmes amnistisë për ndryshimin e qëndrimit dhe bashkëpunimin me Jugosllavinë, si viktimë e Koci Xoxes. Më 1950 përgatiti një dispensë historie për Institutin Pedagogjik, “Mbi Shqipërinë e viteve 1912–1924”, e cila më vonë u konfiskua dhe humbi. Në vitin 1955, arrestohet e dënohet me 5 vjet burg me motivacionin “i dyshuar për lidhje me eksponentë të së majtës në Perëndim” .Në vitet 196l–1964 internohet në Zvërnec të Vlorës, ku gjeti dhe krijoi shoqëri me Kasëm Trebeshinën. Aty shkroi një traktat filozofik me rreth 140 faqe, i cili gjithashtu u zhduk. Pas lirimit u internua sërish prej Enver Hoxhës, në vitin 1977, në Labovë të Gjirokastrës. Në vitin 1978 nuk pranon të marrë pjesë në votime dhe për këtë arsye e dënojnë me 10 vjet burg në Ballsh, ku dhe u verbua plotësisht. (Në fotografi: Zef Mala)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Zef_Mala
Përpunim grafik: AHCF




