Vaçe Zela

Lexo ngjarje:

Më 7 prill 1939, në Lushnjë lindi Vaçe Zela, këngëtare, Artiste e Popullit. Kreu studimet për aktore në Institutin e Lartë të Arteve (1962). Filloi punën si këngëtare në Estradën e Ushtrisë Popullore dhe më pas në Estradën e Tiranës, ku hodhi bazat si interpretuese e muzikës së lehtë. Në Festivalin I të Këngës në Radiotelevizion (1962) shfaqi cilësitë e origjinalitetit të spikatur, që i dha vulën tërë interpretimeve të saj të mëvonshme. Në vitin 1967 kaloi në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore, në Tiranë, ku dha kontribut të vyer në interpretimin e muzikës folklorike të mbarë vendit. Në atë kohë u formua si këngëtare e përmasave të mëdha. Te Vaçe Zela spikatën lirshmëria vokale dhe pasuria e shprehjes, aftësitë e lindura e të përpunuara në vite të interpretimit artistik, muzikaliteti, kthjelltësia dhe fuqia e zërit, mjeshtëria e lartë artistike. Ajo krijoi një repertor të gjerë e të pasur në fushën e muzikës së lehtë shqiptare e të huaj, si dhe të muzikës burimore e të përpunuar folklorike, duke përfaqësuar nivelet më të larta dhe frymën më emancipuese të interpretimit të këngës. Kjo u shpreh veçanërisht në këngë, si: “Valsi i lumturisë”, “Trëndelinë”, “Gjyshes”, “Mesnatë”, “Moj e bukura More” etj. Ka marrë çmime e medalje ndër më të lartat. Është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Vaçe Zela)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2984.

Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Nikollë Kaçorri

Në Vjenë, u nda nga jeta Nikollë Kaçorri, klerik atdhetar e veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img