Më 14 prill 1945, në Tiranë u ekzekutua Terenc Toçi, gazetar e politikan. Lindi në fshatin arbëresh Strigar (San Cosmo Albanese) të Kalabrisë. Mësoi në Kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër (Itali) dhe studimet e larta i kreu në Universitetin e Urbinos. Në vitin 1904 filloi veprimtarinë juridike në Romë, duke punuar njëkohësisht edhe si redaktor e kryeredaktor i “Gazzetta Albanese” (italisht), “La Nazione Albanese” të Anselmio Lorekios dhe “La Terza Italia”. Më 1911, themeloi dhe drejtoi në Romë “La Revista dei Balcani” (“Revista e Ballkanit”), që botohej në Romë në italisht e pjesërisht në shqip. Për herë të parë në Shqipëri erdhi në mars 1911, kur mori pjesë në kryengritjet kundërosmane të krahinave të Mirditës e Malësisë së Madhe. Themeloi e drejtoi gazetat “Taraboshi” (1913–1914, 1921) dhe “Shtypi” (1923). Kreu detyrën e drejtorit të Zyrës së Shtypit (1922–1923) dhe u zgjodh deputet i Prefekturës së Dibrës në Kuvendin Kushtetues (1924). Në vitet e pushtetit të Ahmet Zogut (1925–1939), Terenc Toçi u emërua prefekt në Gjirokastër e në Vlorë, konsull i Shqipërisë në Kajro (Egjipt), kryetar i Gjyqit të Diktimit, ministër i shtetit për Ekonominë Komunale dhe u zgjodh deputet i Prefekturës së Shkodrës në Parlamentin e Shqipërisë (1937–1939). Me pushtimin fashist të Shqipërisë, Terenc Toçi u caktua në përbërjen e Asamblesë Kushtetuese, e cila ligjëroi aneksimin e Shqipërisë në Mbretërinë e Italisë (1939–1940), ndërsa në vitet 1940–1943 kreu detyrën e Kryetarit të Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. Në vitin 1945 u dënua me vdekje nga Gjyqi Special i Tiranës dhe u pushkatua. (Në fotografi: Terenc Toçi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2718.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Terenzio_Tocci
Përpunim grafik: AHCF




