Më 12 prill 1922, në Egjipt u nda nga jeta Spiro Dine (1844–1922), folklorist, pasues dhe bashkëpunëtor i Thimi Mitkos. Lindi në Vithkuq të Korçës. Mori pjesë në lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, duke dhënë ndihmesë për organizimin dhe bashkërendimin e veprimtarive të shqiptarëve të Egjiptit. Shkroi vjersha me frymë popullore që përshkohen nga ndjenja e dashurisë për atdheun e për lirinë dhe nga urrejtja ndaj pushtuesit osman. Që më 1866, kur vajti në Egjipt, me nxitjen e Thimi Mitkos iu vu punës për mbledhjen e lëndës folklorike. Disa nga materialet e mbledhura ia dha Thimi Mitkos, i cili botoi një pjesë të tyre te “Bleta shqiptare”. Më 1908, Spiro Dine botoi në Sofje veprën “Valët e detit”, ku përveç materialeve folklorike, përmblodhi edhe krijimet e veta poetike e të disa atdhetarëve të tjerë. Materialet folklorike të librit përfshijnë: vjersha popullore trimërie, vajtime, këngë dashurie, zakone dhe këngë dasme, vjersha satirike, lodra, fjalë të urta, gjëegjëza, përralla etj. Vepra ngërthen një lëndë të gjerë botimet më të rëndësishme folklorike të Rilindjes. (Në fotografi: Spiro Dine)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 485.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Spiro_Dine
Përpunim grafik: AHCF




