Më 8 prill 1978, në Gjakovë lindi Përmet Vula, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Kishte dëshirë të regjistrohej në Akademinë Ushtarake, në Tiranë. Ishte sportist i dalluar, qoftë si peshëngritës, qoftë si futbollist. Përmeti u rrit në vorbullën e trazirave, të vuajtjeve, të keqtrajtimeve të popullit shqiptar. Terrori dhe dhuna ditë më ditë shtohej ndaj shqiptarëve. Shtëpia e dëshmorit në Gjakovë u bë një burim trimash dhe njëkohësisht pikënisje për t’iu bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmet Vula, bashkë me 12 shokë të tjerë nga Gjakova iu përgjigjën ftesës për rreshtim në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga thundra serbe. Ai u inkuadrua në fillim si ushtar fronti, në njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit. U vra më 1998, gjatë luftimeve të ashpra në Junik. Sot, trupi i dëshmorit prehet në Varrezat e Dëshmorëve, në Gjakovë. (Në fotografi: Përmet Vula)
Teksti: https://radiogjakova.info/
Fotografia: © https://radiogjakova.info/
Përpunim grafik: AHCF




