Më 10 prill 1921, në Kavajë lindi Mustafa Krantja, dirigjent dhe veprimtar i muzikës, profesor, Artist i Popullit. Veprimtarinë artistike e filloi më 1943, si violinist në orkestrën e Radio Tiranës. Studimet për dirigjim i kreu në Konservatorin e Pragës (1950). Karriera e tij profesionale si dirigjent u lidh ngushtë me themelimin dhe me veprimtarinë e institucioneve kryesore. muzikore shqiptare, si Orkestra simfonike e Filarmonisë Shqiptare, e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe e Radio Televizionit Shqiptar. Gjatë viteve 1950–1960 drejtoi pjesën kryesore të repertorit skenik të Teatrit të Operës dhe Baletit dhe shumë nga koncertet e para simfonike në vend. Mori pjesë në veprimtari të rëndësishme ndërkombëtare të kohës. Si bashkëthemelues i klasës së dirigjimit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, e ushtroi gjatë veprimtarinë pedagogjike. U mor gjithashtu me publicistikë muzikore (ka botuar dhjetëra artikuj), dha ndihmesë aktive në formimin e orkestrave simfonike në disa qytete kryesore të vendit. Ka kompozuar disa këngë, ndër të cilat kënga për Asim Zenelin, dhe pjesë orkestrale e simfonike. Ka marrë Çmimin e Republikës. Është dekoruar me medaljen “Dvorzhak” nga presidenti i Republikës Çeke dhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”. (Në fotografi: Mustafa Krantja)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1335.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mustafa_Krantja
Përpunim grafik: AHCF




