Në Shkodër lindi Musa Juka, veprimtar politik. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje. Më 1900, hyri në shërbim të administratës osmane në zyrën e financave në Shkodër dhe më 1912, u bë drejtor i asaj zyre. Me hyrjen e trupave austro-hungareze në Shkodër (1916), u emërua kryetar i Përlimtares (bashkisë). U zgjodh kryetar i Bashkisë së Shkodrës edhe më 1921. Në prill 1917, ishte pjesëtar i dërgatës shqiptare, që vizitoi perandorin Karli I në Vjenë, ku u dekorua me Kryqin e Kreshnikëve të Franz Jozefit. U largua nga Shqipëria pas fitores së Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924 dhe u rikthye në fund të atij viti, në krye të disa forcave të armatosura nga Podgorica në mbështetje të Ahmet Zogut. Ministër i Punëve të Brendshme (1926–1927, 1930–1935 dhe 1936–1939), ministër i Punëve Botore dhe i Bujqësisë (1925–1927), ministër i Bujqësisë dhe i Pyjeve (1928–1929), ministër i Ekonomisë Kombëtare (1929–1930), deputet (1926–1939). Pas pushtimit fashist u largua nga Shqipëria. Vdiq në Aleksandri të Egjiptit. (Në fotografi: Musa Juka)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1074.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Musa_Juka
Përpunim grafik: AHCF




